Në kuadër të shënimit të 23-vjetorit të çlirimit të Prishtinës është hapur ekspozita me 23 fotografi nga Prishtina e vjetër në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Aty po prezantohen fotografi të vjetra, bashkangjitur me të rejat për të treguar sa kanë ndryshuar disa nga pjesët e qytetit ndër vite.
Enes Bërveniku, njohës i Prishtinës së vjetër tregoi për KosovaPress qëllimin e ekspozitës dhe përmbajtjen e fotografive.
“Qëllimi i kësaj ekspozite është për nder të 23-vjetorit të çlirimit të Prishtinës. Ekspozita thirret ‘23 fotografi për 23-vjet çlirim’. Vitin e kaluar e kam realizuar me 22 fotografi, sivjet me 23 fotografi për shkak të 23 vjetorit dhe besoj se nëse kam përkrahje edhe në vitet në vazhdim ky numër të rritet. Ekspozita përmban fotografi të vjetra të Prishtinës, të bashkangjitura me fotografi të reja të lokacioneve të njëjta. Fotografi ka të periudhave të ndryshme, pas luftës parë dhe dytë botërore, të pushtimeve të ndryshme kur kanë qenë bullgarët, serbët, si ka qenë Prishtina”, tha Bërveniku.
Qytetari, Ibrahim Hajrizaj i cili vizitoi ekspozitën është shprehur i emocionuar teksa shihte ndryshimin e shumë vendeve në fotografi, derisa tha se disa nga vendet kanë qenë më mirë sesa që janë tani.
“Më shumë po mundohem t’i krahasoj si ka qenë dhe si ka ndryshuar tash. Kryesore e mbaj mend si kanë qenë, pasi kam qenë student këndej prej viteve të ’70-ta… Ka vende ku më mirë është si ka qenë, shembull pjesa Parlamentit më mirë ka qenë siç është tani. Ka të tilla që meritojnë të kthehen e me mendu si ka qenë… ndoshta duhet menduar që mos me ndërru çdo gjë sepse jo të gjitha meritojnë të ndërrohen. Ka vende ku diçka duhet ndërruar, por ka vende ku meriton me lënë në të vjetrën”, tha Hajrizaj.
Po ashtu edhe qytetari, Enes Havolli është shprehur i kënaqur me organizimin e kësaj ekspozite. Sipas tij, kjo ekspozitë shërben si mundësi e mirë për gjithë qytetarët të vijnë dhe të shohin si kanë ndryshuar disa nga vendet.
“Këto foto më të vjetra se që jam unë vet, disa prej tyre s’po më kujtohen… Është interesant që njerëzit t’i shoh ndryshimet, si po ndryshojnë vendet, si po merr tjetër pamje çdo ditë vendi, sidomos kur jeton jashtë Kosovës dhe vjen kohë pas kohe dhe sheh që asgjë s’është e njëjtë dhe ka ndryshuar çdo gjë… Shumë ndryshime janë për të mirë, kanë marrë formë të mirë dhe besoj se veç shkon e bëhet më mirë”, tha Havolli.
Ndërsa për shkak të motit të ftohtë, Bërveniku tha se ekspozita do të zgjas vetëm tri orë.