Afrim Muçiqi i ka reaguar klubit të futbollt kryeqytetas. Përmes një postimi në Facebook, klubi “ia ka kujtuar” opinionit se Muçiqi i ka shitur të gjitha aksionet dhe se nuk është kompetentë të flasë më në emër të tij.
Muçiqi u tall me njoftimin e klubit në ‘Facebook’ të dielën.
“Sqarim i opinionit rreth deklaratave publike të ish-aksionarit Afrim Muçiqi. FC Prishtina njofton opinionin publik se Afrim Muçiqi nuk është më pjesë e klubit tonë, ku më herët ka qenë aksionar dhe drejtor. Ylli i mikrofonit ka të drejtë të flas për klubin, por vetëm si tifoz i ekipit nëse ndjehet i tillë, e jo si pjesë e jona”, thuhet në njoftimin e klubit.
Në reagimin e Prishtinës u tha se aksionet e Muçiqit i kanë kaluar aksionarit Rrahman Haradini.
“Muçiqi nuk ka qenë pjesëmarrës as në Kuvendin e fundit Zgjedhor, ku është zgjedhur kryetari i ri, Hakif Gashi, si dhe anëtarët e tjerë të bordit: Rrahman Haradini, Remzi Ejupi, Sinan Vllasaliu dhe Ismet Begolli”, thuhet tutje.
Reagimi i klubit vjen pasi Muçiqi kritikoi trajnerin Ismet Munishi, duke thënë se nuk është i duhuri për Prishtinën.
Muçiqi ishte aksionar që nga privatizimi i klubit, por sipas vetë klubit, ai më nuk është.