Prishtina është skuadra që ka dëshpëruar më së shumti sivjet në elitën e futbollit kosovar.
Përkundër shumë investimeve dhe objektivave të mëdha që kishte, skuadra bardhekaltër në 100- vjetorin e themelimit të saj rrezikon shumë seriozisht për të mbetur jashtë Evropës, shkruan Demokracia.com.
Ajo sot u eliminua nga garat e Kupës duke pësuar humbje nga Llapi me rezultat të përgjithshëm 3:2. Kjo solli zhgënjim të madh në kryeqytet, megjithatë Prishtina ka edhe pak shpresë për të dal në Evropë.
Ky është skenari:
Për herë të parë në histori të futbollit kosovar në Evropë këtë vit dalin katër skuadra. Kampioni, fituesi i Kupës dhe vendi i dytë e i tretë në tabelë.
Kështu, nëse Llapi pëson humbje nga Drita në finale, derisa Prishtina arrin të renditet e katërta në tabelë, atëherë siguron pjesëmarrjen në garat e Conference League. Llapi momentalisht është në pozitën e katërt në tabelë me 6 pikë epërsi ndaj Prishtinës, por nëse Drita e fiton Kupën e Kosovës, atëherë në Evropë shkon edhe skuadra e pozitës së katërt në tabelë, gjë të cilën tash e tutje shpreson ta zë Prishtina.
Mirëpo, për të ndodhur kjo duhet një mrekulli e madhe, pasi diferenca prej 6 pikëve ndaj Llapit do të jetë shumë e vështirë të shkrihet edhe pse në dispozicion janë edhe 24 pikë.