Prishtinasi ia bën “dallaverin” – E kap ‘G Class’-in me çelës rezervë pasi e shiti, zbulohet se edhe blerësi ia shiti dikujt

Prishtinasi ia bën “dallaverin” – E kap ‘G Class’-in me çelës rezervë pasi e shiti, zbulohet se edhe blerësi ia shiti dikujt

Kushdo që ushtron në mënyrë arbitrare të drejtën që mendon se i takon në vend se t’i drejtohet organit, rrezikon të dënohet me gjobë dhe me burgim. Një 32-vjeçar nga Prishtina është futur në sherr dhe po hetohet për një rast dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.

Sinjali ka mësuar se i dyshuari që ka rënë në prangat e Policisë në Pejë gjatë ditës së sotme është Bujar Haziri – që tashmë ndodhet në ndalim policor.

Në bazë të informacioneve të para, rasti lidhet me shitblerjen e një automjeti luksoz të tipit ‘Mercedes G-Class’.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i arrestuari për këtë rast dyshohet se e kishte shitur këtë automjet te një person tjetër, të cilit ia mori paratë, por e planifikoi që vetura t’i mbetet atij. I dyshuari e gjeti formën që ta marrë veturën që vet e shiti, duke e shfrytëzuar çelësin rezervë.

Rasti është komplikuar edhe më shumë pasi blerësi i këtij automjeti vendosi që ta shes te një person tjetër, por që edhe ai mbeti pa automjet.  

Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka arrestuar të dyshuarin, teksa akoma nuk dihet se ku ndodhet vetura.

I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit, në drejtim të veprës penale “Vetëgjyqësia”.

Related Articles