Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundmi edhe një grua nga Prishtina, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj për dhunë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka deklaruar se burri i saj ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike, e për të mos mbaruar me kaq, edhe e ka kërcënuar seriozisht.
Sinjali mëson se sherri mes tyre ka nisur si pasojë e debateve që gruaja ka pasur me burrin e saj, përdorues i drogës. Për shkak të kërkesave të saj që ai ta lë drogën, i njëjti e ka paralajmëruar se “nëse më bën presion, t’vras”.
Përballë kësaj situate, e shqetësuar dhe frikësuar se mund t’i ndodhë diçka më e keqe, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit ndaj të dyshuarit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhuna në familje”.