Pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës denoncohen raste të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë, të cilat përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët, apo edhe familjarët e tjerë. E në raste më të rralla, janë burrat ata që kërkojnë ndihmë si viktima të dhunës në familje.
Kështu i ka ndodhur një burri në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës pas dhunës që përjetoi nga bashkëshortja e tij.
Sinjali mëson se 37-vjeçari ka deklaruar në stacion policor se pas një konflikti verbal me bashkëshorten, ajo ka eskaluar në dhunë fizike, duke e rrahur.
E dyshuara është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin, teksa burri i saj ka kërkuar urdhër mbrojtës nga gjykata.
Pas përfundimit të procedurave, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarës kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.