Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë kalojnë në përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Motivet shpesh dalin të jenë banale dhe lidhen me probleme për të cilat ata nuk arrijnë të merren vesh dhe për pasojë futen në sherr. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku mbeti i therur me thikë një person.
Këtë herë në rast janë përfshirë dy të mitur, që dyshohet se u kapën për motive akoma të panjohura, me ç’rast përleshja eskaloi deri në përdorimin e thikës.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se viktima është dërguar në gjendje kritike në spital dhe sipas informacioneve të para ndodhet në rrezik për jetën.
Në anën tjetër, i dyshuari 15-vjeçar, është arrestuar nga Policia, teksa thika që dyshohet se e ka përdorur është sekuestruar nga zyrtarët policorë që intervenuan në vendin e ngjarjes.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij në lidhje me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tij të caktohet masa e ndalimit për 24 orë për veprën penale “Vrasje në tentativë”.