Prishtinë: Iu gjetën në veturë thasë me 27 kilogramë marihuanë, një muaj paraburgim të dyshuarit

Prishtinë: Iu gjetën në veturë thasë me 27 kilogramë marihuanë, një muaj paraburgim të dyshuarit

Një muaj paraburgim i është caktuar të pandehurit me inicialet N.N, i cili dyshohet për veprën penale “Blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Vendimi për masën e paraburgimit është marrë këtë të premte nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.N, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit N.N masa e paraburgimit i caktohet në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në njoftimin për media.

“Gjykata ka vlerësuar se me qëllim të zhvillimit të rregullt dhe pa pengesë të procedurës penale në këtë çështje penale është e nevojshme që të pandehurit N.N ti caktohet masa e paraburgimit, pasi që me asnjë masë tjetër alternative nuk do të arrihet që të sigurohet prania e tij gjatë zhvillimit të procedurës në këtë çështje penalo – juridike dhe procedura të zhvillohet pa pengesa”.

Tutje, bëhet e ditur se më 9 gusht, të njëjtit në veturë policia i ka gjetur thasë të mbushur me narkotikë të llojit marihuanë me peshë 27,6 kilogramë.

“I pandehuri N.N dyshohet nga Prokuroria se në mënyrë të pautorizuar ka poseduar narkotikë, pasi që me datë 09.08.2022 prej orës 12:00 gjatë kontrollit rutinor është ndaluar nga ana e policisë, në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan dhe në automjetin i tij të cilin e drejtonte tani i dyshuari N.N, gjatë kontrollit, në ulësen e pasme të veturës është gjetur një thes i mbuluar me batanije, i mbushur me marihuanë”.

“Ndërsa, në bagazhin e automjetit janë gjetur edhe tre thasë të njëjtë të mbushur me thasë najloni në të cilat gjendej narkotiku, i cili dyshohet së është i llojit marihuanë me peshë totale prej 27,6 kilogramë, i cili ka qenë i dedikuar për shpërndarje të mëtejme me qëllim të shitjes tek shfrytëzuesit tjerë në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e këtij aktvendimi.

Related Articles