Këshilli i Prindërve të institucionit parashkollor “Gëzimi Ynë” në Prishtinë, ka paralajmëruar protestë/marsh të enjten.
Në njoftimin e Këshillit thuhet se protesta do të fillojë para objektit të Qeverisë së Kosovës në ora 12:00, për të vazhduar pastaj në drejtim të Konviktit të Studentëve dhe në drejtim të zyrave të SBASHK-ut.
Qëllimi i protestës është shprehja e pakënaqësive për mbylljen e çerdheve.
Kujtojmë se greva e BSPK-së ka filluar që nga 25 gushti i këtij viti, ndërsa që nga atëherë institucionet parashkollore dhe pjesa më e madhe e shkollave të vendit janë ende në grevë.
Një marrëveshje mes SBASHK-ut dhe Qeverisë nuk është arritur edhe pas takimeve të fundit që kanë ndodhur, pasi që SBASHK-u vazhdon të kërkojë 100 euro shtesa për mësimdhënësit, kërkesë kjo që nuk është plotësuar nga Qeveria.