Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje.
Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Hoçë e Qytetit të Prizrenit, ku si pasojë e problemeve e mosmarrëveshjeve të shumta që kishin një çift bashkëshortor, gruaja vendosi që të shkojë në shtëpinë e familjes së saj së bashku me fëmijën e tyre të mitur.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari nuk ka dashur ta pranojë faktin se e shoqja ka marrë me veten fëmijën dhe i njëjti kishte shkuar në shtëpinë e miqve ta marrë me dhunë të voglin.
Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, bashkëshorti i saj ka tentuar që me anë të forcës ta marrë fëmijën nga ajo dhe të njëjtën kohë 32-vjeçaren e ka sulmuar edhe fizikisht duke e goditur shuplakë. Për këtë, ajo ka marrë ndihmë mjekësore në spital.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.