Në zemër të qytetit historik të Prizrenit, mes turistëve të shumtë, gjen çdo ditë fëmijë të vegjël që lypin në rrugë.
Shumica dërrmuese e tyre kanë ardhur nga Shqipëria, kryesisht nga zonat verilindore si Kukësi dhe Tropoja. Çdo ditë, ata enden nëpër rrugët e qytetit, të pashoqëruar dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve.
Kështu thotë Ilir Shala, ekspert i turizmit, për “ReportTV”, i cili shton se nuk janë të gjithë fëmijë nga Shqipëria.
“Ky nuk është një fenomen që ndodh vetëm në Prizren, por edhe në qytete të tjera turistike të Kosovës. Megjithatë, duhet të kemi kujdes me mënyrën si e paraqesim – nuk është mirë të përgjithësojmë ‘fëmijë nga Shqipëria’, sepse krijojmë imazh të padrejtë ndaj një populli të tërë”, thotë Shala.
Megjithatë, faktet janë kokëforta. Disa familje kalojnë kufirin dhe marrin shtëpi me qira pranë qendrës së Prizrenit, vetëm për të nxjerrë fëmijët në rrugë. Ky realitet, përveçse prek dinjitetin njerëzor, ndikon edhe në përvojën e vizitorëve dhe turistëve.
“Shumë prej këtyre fëmijëve janë të njëjtët që i shohim çdo verë. Vijnë nga zonat e Shqipërisë, sidomos Kukësi. Është bërë e zakonshme që disa familje të vendosen përkohësisht vetëm për këtë arsye në Prizren. Kjo gjë është shqetësuese për qytetin dhe kërkon zgjidhje humane”, shprehet Afrim Tejeci nga Oda e Zejtarëve të Prizrenit.
Policia e Prizrenit e pranon fenomenin por duket e pafuqishme për ta frenuar për sa kohë kufiri është i hapur dhe njerëzit kalojnë pa kontroll të pasaportave.
“E kemi evidentuar që shumica e fëmijëve që lypin janë nga Shqipëria. Ka raste të përsëritura. Kemi identifikuar edhe prindërit, i kemi kthyer, por pas disa ditësh kthehen sërish. Pa një ligj të përbashkët dhe pa kontroll më të mirë në terren, problemi nuk zgjidhet”, deklaron Shaqir Bytyqi, Zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit.
Ndërkohë që qyteti përpiqet të ruajë imazhin e tij mikpritës, pamja e fëmijëve që lypin mbetet një plagë e madhe sociale dhe një përvojë jo e mirë për turistët.
Në këto kushte, ekspertët thonë se nevojitet bashkëpunim institucional mes Kosovës e Shqipërisë, ligje të harmonizuara e mbështetje për familjet e varfra.