Ishte nisur për të verifikuar gruan te zyra e pensioneve, por procedurat e pamundësuan
Haradin Bajrami mori rrugën nga Keqekolla në Prishtinë për të lajmëruar që gruaja e tij është gjallë, në mënyrë që të mos i ndërpritet pensioni. Megjithatë, ai nuk arriti ta kryejë këtë detyrë, për shkak të procedurave të ndërlikuara, transmeton Gazeta Enigma.
Si të gjithë pensionistët, edhe bashkëshortja e tij duhet të paraqitet çdo gjashtë muaj për verifikim. Por, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, Bajrami apelon për alternativa më të lehta verifikimi.
Të moshuarit gjithashtu kërkojnë eliminimin e procedurave burokratike, duke theksuar se në epokën e digjitalizimit, procese të tilla duhet thjeshtuar.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka propozuar disa zgjidhje, si përfshirjen e operatorëve të jashtëm ose angazhimin e studentëve të Universitetit të Prishtinës për t’i lehtësuar këto procese.
Albana Bytyqi, deputete e AAK-së në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, konfirmoi se ka pranuar ankesa nga pensionistët. Ajo premtoi se do të angazhohet me prioritet për të adresuar këtë problem në legjislaturën e ardhshme.
Ministria e Financave nuk ka dhënë ende një përgjigje në lidhje me këtë çështje./GazetaEnigma/