Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan ka konstatuar në një raport të tij se katër profesorë kanë abuzuar me vijueshmërinë e punës duke i regjistruar hyrjet dhe daljet e njëri tjetrit me kartelat e punës.
Të dhënat tregojnë se menaxhmenti i Universitetit “Kadri Zeka” (UKZ) ka iniciuar një procedurë disiplinore kundër disa profesorëve, duke i raportuar ata te Këshilli i Etikës i UKZ-së më 15 korrik 2024.
Këshilli i Etikës, pas shqyrtimit, ka rekomanduar dhënien e një vërejtjeje me shkrim, masë kjo e cila është aprovuar nga Senati i UKZ-së më 1 gusht 2024.
Megjithatë, profesorët e kanë kundërshtuar vendimin duke e dërguar çështjen në Gjykatën Themelore në Gjilan, e cila, më 31 janar 2025, ka anuluar vendimin e Senatit.
Në aktgjykimin prej 11 faqesh, gjykata ka evidentuar shkelje procedurale dhe gabime në cilësimin e shkeljes nga ana e universitetit.
Aktualisht, çështja është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit pas ankesës së paraqitur nga Universiteti “Kadri Zeka”.
Artan Dërmaku, rektor në këtë Universitet, ka thënë për Kallxo se kur janë verifikuar dyshimet e tyre se profesorët kanë mashtruar me kartelat e punës, fillimisht kanë pasur idenë që t’u shqiptohet një vërejtje me gojë.
Por, pasi janë ngritur kallëzimet penale nga profesorët kundër UKZ-së, rektori Dërmaku tha se u kanë shqiptuar vërejtjen me shkrim.
Një javë ditë pasi u është shqiptuar vërejtja me shkrim, profesorët që dyshohen për mashtrim kanë kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan anulimin e rekomandimit të Këshillit të Etikës të UKZ-së, i cili është miratuar nga Senati i UKZ-së.
Emini e kishte kontestuar vendimin e Senatit për vërejtje ndaj tij dhe profesorëve tjerë në dy baza, që nuk u është dhënë qasje në dokumente zyrtare dhe që në vendimin e Senatit të UKZ kanë vendosur edhe anëtarët e Këshillit të Etikës të cilët, sipas tyre, është dashur të mos votojnë në këtë shkallë, sepse kishin ‘konflikt interesi’ pasi kishin qenë anëtarë të Këshillit të Etikës.
Që prej se këta profesorë janë gjetur nga komisioni i vëzhgimit të sistemit të kamerave të UKZ se kanë regjistruar hyrje-dalje njëri-tjetrit përmes kartelave të punës sipas Artan Dërmakut, rektorit të UKZ, ky fenomen nuk është përsëritur dhe tash dekanët raportojnë që profesorët po vijnë në orar të punës pa falsifikim.