Projektkodi Civil i sapomiratuar nga Qeveria nuk e lejon martesën mes sekseve të njëjta

Projektkodi Civil i sapomiratuar nga Qeveria nuk e lejon martesën mes sekseve të njëjta

Tema e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë gjithnjë shkakton shumë debate pro dhe kundër në shoqërinë kosovare.

Rasti i fundit ku qytetarët u ndanë në dy tabore ishte dje kur u raportua për martesën e vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, me një burrë në shtetin e Kanadasë.

E duket që edhe Qeveria e Kosovës po e diskriminon këtë kategori, duke mos ua mundësuar martesën mes vete, ndonëse një gjë e tillë lejohet me Kushtetutë.

Demokracia.com ka siguruar Projektkodin Civil të Kosovës, i cili nuk e lejon martesën mes personave me sekse të njëjta.

Në kapitullin ku sqarohet “Martesa” dhe kuptimi i saj, përkatësisht në nenin 1138 të Projektkodit Civil, shkruan se “Martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile”.

Në këtë projektkod të ri të Qeverisë Kurti lejohen vetëm bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta, raporton Demokracia.com.

Në pikën 2 të këtij nënkapitulli thuhet se kushtet dhe procedura do të rregullohen me ligj të veçantë.

“Bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara. Kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë”, thuhet në projektkodin e ri.

Sipas këtij dokumenti, bashkëshortët kanë të drejtë të lidhin martesë dhe të formojnë familje pa ndonjë kufizim në bazë të racës, kombësisë apo religjionit, si dhe janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj.

“Të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”, thuhet në këtë dokument, sipas të cilit, personat me seks të njëjtë trajtohen si partnerë në bashkësi civile dhe jo si të martuar.

Projektkodi Civil i ri është miratuar në mbledhjen e Qeverisë Kurti më 30 dhjetor 2021.

Related Articles