Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se kanë proceduar në konsultime paraprake Projektligjin për zyrtarët publikë.
Tahiri këtë projektligj e ka quajtur sulm mbi administratën shtetërore.
“Duke e lexuar Projektligjin e ri për zyrtarët publikë, jam i tmerruar me provizionet që parapërcaktojnë dhe lejojnë hapësirë për ndërhyrje politike në administratë publike”, ka shkruar ai në Facebook.
“Ky Projektligj qenka një sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratës shtetërore dhe shërbimit civil pa përjashtim. Është kundër gjithëçkaje që është arritur me BE-në dhe Sigma në dekadën e fundit”.
Sipas tij, Neni 46, Neni 66 dhe Neni 98 te dispozitat kalimtare janë nene kundërkushtetuese.
“Projektligji i ri për zyrtarët publikë, respektivisht Neni 46, Neni 66 dhe Neni 98 te dispozitat kalimtare janë qartazi nene kundërkushtetuese, që në esencë janë fshesë e hekurt kundër menaxhmentit drejtues të administratës shtetërore. Ky Ligj nuk duhet të kalojë, assesi!”, ka përfunduar Tahiri.