Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) njoftoi se po zhvillon një hetim rreth blerjes së vaksinave kundër COVID-19 në Bashkimin Evropian.
Autoriteti i cili është përgjegjës për hetimet dhe ndjekjet penale të krimeve kundër buxhetit të BE-së, njoftoi se ka filluar një hetim rreth sigurimit të përbashkët të vaksinave të COVID-19 nga Komisioni Evropian në emër të vendeve të BE-së.
Prokuroria bëri të ditur se aktualisht hetimi vazhdon dhe se kjo mbart “një interes publik jashtëzakonisht të lartë”.
KE-ja në luftën kundër pandemisë së COVID-19 siguroi vaksina në sasi të larta nga disa prodhues të ilaçeve dhe vaksinave. KE-ja, marrëveshjen e saj më të madhe për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 e bëri me Pfizer-BioNTech.
BE-ja ka një marrëveshje me Pfizer-BioNTech për një total prej 2.4 miliardë dozash në emër të vendeve anëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kostoja e marrëveshjeve nuk deklarohet zyrtarisht me arsyen se është sekret tregtar. Gjithashtu, BE-ja siguron vaksina edhe nga kompanitë si Moderna, AstraZeneca, Novavax dhe Johnson & Johnson.
Theksohet se që nga fundi i 2021, BE-ja ka bërë marrëveshje në vlerë prej 71 miliardë dollarë për gjithsej 4.6 miliardë doza të vaksinave.