Kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu ka paraqitur sot ankesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës se zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Lajmin për paraqitjen e ankesës e ka bërë të ditur avokati i tij, Flakorn Sylejmani në një postim në Facebook.
“Përmes kërkesës kemi kontestuar procedurën e zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit përkatësisht vendimet e takimit e 212-të Këshillit Prokurorial të Kosovës të datës 06.04.2022”, ka shkruar avokati Sylejmani.
Kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu pretendon se Këshilli Prokurorial i Kosovës, gjatë procesit të zgjedhjes për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, ka shkelur të drejtat e parashtruesit të kërkesës të garantuara me Kushtetutë, përkatësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të drejtën në mjet juridik, të drejtën për barazi para ligjit, të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes, të drejtat për mbrojtje gjyqësore e të drejtave të Kushtetutës së Kosovës si dhe të drejtat tjera të përcaktuara me Ligj dhe Konventa ndërkombëtare.
Në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit ishin: Armend Hamiti, Blerim Isufaj, Kujtim Munishi, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu.
Kujtojmë se KPK-ja kishte votuar në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Ky vend i KPK-së u kundërshtua nga ambasadorët e huaj dhe organizatat vendore, të cilët theksonin se janë shpërfillur parimet për një proces të drejtë dhe meritor.