Prokurori special, Atdhe Dema, ka kërkuar që ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, të shpallet fajtor së bashku me ish-zyrtarin e komunës Ismet Isufi zyrtarin Gani Rama dhe biznesmenin Veli Hajdaraga.
Pal Lekaj, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune. Për keqpërdorim pozite po akuzohen edhe Isufi dhe Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione po akuzohet Veli Hajdaraga.
Në seancën e së martës, fillimisht para se të jepej fjala përfundimtare janë administruar provat materiale.
Më pas, Lekaj, Isufi dhe Hajdaraga vendosen që të mbrohen në heshtje. Këta dy të fundit shtuan se qëndrojnë prapa deklarimeve të dhëna më herët.
Prokurori Dema tha se ngelet prapa aktakuzës së ndërtuar me shkrim, pasi që e njëjta është vërtetuar në tërësi, si përkitazi me fajësinë e të akuzuarve ashtu edhe me përgjegjësinë e tyre penale.
“Marrë për shkas vendimin e Apelit, pikat për të cilat ne jemi këtu sot dëgjimin e ekspertit dhe elaborimin e pikave të tjera që na ka detyruar Apeli që ju ti gjykoni e ne rishikojmë vërtetohet përsëri në mënyrë të plotë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale të paraqitura në aktakuzë, duke vërtetuar në tërësi edhe kohën, vendin dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale”, tha prokurori, raporton Betimi për Drejtësi.
Tutje, prokurori i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtor dhe t’i ndëshkojë sipas ligjit.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Arianit Koci, i cili fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, tha se prokuroria nuk e ka marrë fare mundin që të merret me vërejtjet e Gjykatës së Apelit.
“Gjykata e Apelit në mënyrë të qartë i ka artikuluar vërejtjet e veta, e prokurori nuk e murr mundin fare t’ia bëjë të qartë gjykatës të gjitha vërejtjet që janë bërë nga Gjykata e Apelit, mes tjerash Apeli thotë se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur ta vërtetojë kohën e kryerjes së veprës penale dhe sipas Apelit e njëjta është përcaktuar paushall dhe jo kohën kur të pandehurit kanë vepruar apo janë dashur të veprojnë”, tha avokati Koci.
Avokati Koci tha se edhe pse Lekaj është i pafajshëm, ai tashmë e ka marrë një dënim për shkak se i njëjti tash e 7 vite zvarritet në procedurë penale, që nga hetimi e deri tani.
Ndryshe, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shaqir Zika, me anëtarë Mentor Bajraktarin dhe Besarta Dolin, kanë caktuar 21 janarin për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast. /Gazeta Enigma/.