Prokuroria e Beogradit do të apelojë kundër vendimit të gjykatës për lirimin e Radoiçiqit

Prokuroria e Beogradit do të apelojë kundër vendimit të gjykatës për lirimin e Radoiçiqit

Prokuroria e Lartë Publike serbe (PLP) në Beograd do të apelojë kundër vendimit të gjykatës për mos caktimin e paraburgimit për Millan Radoiçiqin, i cili akuzohet për disa krime lidhur me sulmin terrorist, më 24 shtator në Banjska, në veri të Kosovës.

Gjykata e Lartë në Beograd më herët gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ka hedhur poshtë propozimin e Prokurorisë për paraburgimin e Radoiçiqin dhe i ndaloi atij të largohet nga Serbia. Prokuroria ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se pas marrjes së vendimit të Gjykatës së Lartë do të parashtrojë ankesë.

Gjithashtu, Gjykata e Lartë ka njoftuar se gjyqtari i procedurës paraprake, pasi ka dëgjuar të pandehurin Millan Radoiçiq, ka refuzuar propozimin e Prokurorisë për të caktuar masën e paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes.

“Ndaj Millan Radoiçiqit është caktuar masa e ndalimit të largimit nga vendbanimi, e cila i ndalon të largohet nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës”, pretendohet në njoftim.

Sipas vendimit të gjykatës, atij i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës dhe i është urdhëruar të paraqitet në stacionin policor kompetent në datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Pasaporta e Serbisë iu konfiskua përkohësisht dhe ai është paralajmëruar se mund të ndalohet nëse shkelë ndalesat dhe detyrimet.

Ai akuzohet për kryerjen e disa veprave penale dhe konkretisht: “prodhim, posedim, mbajtje dhe vënie në qarkullim të paautorizuar të armëve dhe lëndëve plasëse”, “pjesëmarrje në grup”, dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Dje, siç ka kumtuar Prokuroria, Radoiçiq në seancë i ka mohuar të gjitha akuzat.

Në konfliktin e armatosur mes terroristëve serbë dhe Policisë së Kosovës në Banjskë, mbetën të vrarë një polic i Kosovës dhe tre terroristë.

Related Articles