Prokuroria e Shtetit nis hetimet pas dyshimeve për manipulim me vota

Prokuroria e Shtetit nis hetimet pas dyshimeve për manipulim me vota

Pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit në rajone të ndryshme të vendit, Prokuroria e Shtetit ka nisur ndërmarrjen e hapave ligjorë pas dyshimeve për manipulim me vota.

Sipas njoftimit, Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, Laura Pula, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që “të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”.

Tutje, në njoftim thuhet se pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërim të plotë në të gjitha komunat, “Prokurori i Shtetit do të fillojë grumbullimin e provave të nevojshme në nivel vendi”.

Lidhur me këto zhvillime, Laura Pula ka pritur në takim shefin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, me të cilin është diskutuar për angazhimin e Prokurorit të Shtetit në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe për “fillimin e hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjen e votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet”.

Në njoftim bëhet e ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për koordinimin ndërmjet prokurorive dhe Koordinatores Nacionale për Zgjedhje, si dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor.

“Ndërsa, shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, përgëzoi punën që është duke u bërë nga sistemi prokurorial në mbrojtje të votës”, theksohet në njoftim.

Related Articles