Prokuroria kërkoi paraburgim për Jevtiqin, avokati: Ofruam 15 mijë euro garanci

Prokuroria kërkoi paraburgim për Jevtiqin, avokati: Ofruam 15 mijë euro garanci

Avokati Milosh Nikolliq, mbrojtës i Bojan Jevtiqit, zyrtarit policor të arrestuar nën dyshimet për spiunazh, tha pas përfundimit të seancës gjyqësore se është kërkuar që klienti i tij të mbrohet në liri dhe se është ofruar një garanci në shumë prej 15 mijë eurosh për t’iu shmangur paraburgimit, raporton Ekonomia Online.

“Kështu, u mbajt seanca për caktimin e masës së paraburgimit sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Prishtinë. Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Aktualisht ndaj tij po zhvillohet një hetim për veprën penale të spiunazhit. Ajo që është me rëndësi, sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, tha Nikoliq.

Ai shtoi se mbrojtja konsideron më të përshtatshme një masë më të lehtë sigurie.

“Masa e arrestit shtëpiak me mbikëqyrje nga policia. Mendojmë se është e përshtatshme, sepse është fillimi i procedurës, mund të zgjasë gjatë, nuk ka nevojë për caktim paraburgimi,” u shpreh ai.

Nikoliq theksoi se klienti i tij nuk ka mbajtur ndonjë pozitë të lartë në polici.

“Po, ju thashë, është në shërbim që nga viti 2002. Ka punuar në pikën kufitare Dheu i bardhë. Pra, nuk ka ndonjë gradë të lartë apo ka punuar në ndonjë detyrë të lartë. Ka punuar në pikën administrative, në pikën kufitare. Kjo është për tani”, tha avokati.

Sa i përket provave të sekuestruara, ai tha se mbrojtja ende nuk ka qasje në to.

“Ndoshta po pyetni për dokumentet që kemi paraqitur. Ende nuk i kemi, meqenëse është në fazën e hetimit, nuk kemi qasje në prova, nuk na janë dorëzuar shkresat. Kur të na dorëzohen nga ana e prokurorisë shkresat, atëherë do të mund t’i komentojmë”, tha Nikolliq.

“Po ju them, ende nuk kemi qasje në asnjë provë, sepse është fillimi i procedurës. Kështu që, do t’ju njoftojmë. Po ju them, nuk kemi qasje në prova, kemi vetëm kërkesën për caktimin e paraburgimit”, tha ai.

Related Articles