Prokuroria kërkon dënimin e gjykatësit Prenaj dhe të tjerëve të akuzuar për korrupsion

Prokuroria kërkon dënimin e gjykatësit Prenaj dhe të tjerëve të akuzuar për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në seancën e së premtes në gjykimin për korrupsion, gjatë dhënies së fjalës përfundimtare, prokurori Valdet Avdiu ka kërkuar që gjykatësi Lekë Prenaj dhe tre të akuzuarit tjerë Hilmi Kasrati, Shpëtim Pllana dhe Shkumbin Qehaja, të shpallen fajtorë për veprat penale që iu vihen në barrë. Ndërsa, mbrojtja kërkoi që ndaj të akuzuarve të shpallet aktgjykim lirues

Fillimisht, prokurori Avdiu tha që nuk ka ndryshim të aktakuzës, kurse fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar.

Prokurori Avdiu tha se nga administrimi i provave është vërtetuar fajësia e të pandehurve, andaj gjykatës i ka propozuar që të njëjtit t’i shpallë fajtorë.

Ndërsa, sa i përket pikës së dytë të kësaj aktakuze, për të akuzuarin Lekë Prenaj i cili ngarkohet me veprën penale në bashkëkryerje “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prokurori Avdiu tha se tërhiqet nga kjo akuzë për të akuzuarin Prenaj

“Tërhiqem nga akuza për veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, ndaj të akuzuarit Lekë Prenaj, sepse janë konsumuar elementet e kësaj vepre penale” ka thënë prokurori Avdiu.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, në këtë rast Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Besim Asllani ka mbështetur fjalën e prokurorit dhe të thënat nga seancat e kaluara, duke thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale, ndërsa nuk kërkon kompensim dëmi pasi që kompensimi i dëmit është realizuar në procedurë kontestimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, avokatët mbrojtës Ibrahim Maxhuni, Ramiz Krasniqi, Visar Vehapi, dhe me autorizim zëvendësues, avokati Gazmend Rexhepi, po ashtu fjalën përfundimtare e kanë dorëzuar në formë të shkruar.

Të njëjtit deklaruan se gjatë administrimit të seancave gjyqësore është vërtetuar pafajësia e të mbrojturve të tyre për veprat penale me të cilat janë ngarkuar nga kjo aktakuzë.

Kështu, të njëjtit kanë kërkuar që gjykata ndaj të akuzuarve të shpall aktgjykim lirues.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Sahit Krasniqi e ka konsideruar të mbyllur këtë çështje penale, ndërsa shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 23 janar 2023.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Hilmi Kastrati akuzohet se si person zyrtar – kryetar i Bordit ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, në periudhën kohore 2015-2018, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Aty thuhet se më 24 maj 2018 e ka përpiluar përgjigjen në padi me numër C.nr.3159/17, për vërtetimin e drejtës së pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Veternik, zona kadastrale Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja, e pastaj i lartpërmenduri Hilmi Kastrati, më 5 shtator 2018, e ka nënshkruar autorizimin me të cilin e ka autorizuar Shpëtim Pllanën, jurist nga Prishtina, që në kontestin sipas padisë së lartcekur ta përfaqësojë N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës” në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Këtë thuhet se e ka bërë edhe pse i pandehuri Kastrati e ka ditur se ngastra në fjalë e të paditurës N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës” gjendet në menaxhim dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje, Lekë Prenaj akuzohet se si person zyrtar – gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe e ka marrë vendimin gjyqësor në lidhje me pronën shoqërore të N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror, në lagjen Veternik, zona kadastrale Prishtinë, edhe pse e ka ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme e Republikës së Kosovës, kurse për menaxhimin e këtyre pronave kompetente është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Sipas aktakuzës, në shqyrtimin gjyqësor të 10 prillit 2019, në lëndën C.nr.3159/17, sipas padisë së 22 nëntorit 2017 të ushtruar nga paditësi – tani i pandehuri Shkumbin Qehaja, i pandehuri Lekë Prenaj, ka nxjerrë aktvendim gjyqësor me të cilin është miratuar pajtimi gjyqësor mes përfaqësuesve të palëve – avokatit Shefki Syla në emër të paditësit, tani i pandehuri Shkumbin Qehaja dhe tani të pandehurit Shpëtim Pllana në emër të paditurës, N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, duke vërtetuar se pronar i ngastrës së lartcekur 1781-2 me sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Veternik, zona kadastrale Prishtinë, është paditësi, tani i pandehuri Shkumbin Qehaja.

Me ç’rast, thuhet se i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës NSH Radio Televizionit të Prishtinës, e cila përfaqësohet dhe administrohet nga AKP-ja.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Shpëtim Pllana e ka përfaqësuar N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, në kontestin e lartcekur, ku paditës ishte tani i pandehuri Shkumbin Qehaja, për vërtetimin e pronësisë.

Aty thuhet se edhe pse i pandehuri Shpëtim Pllana e ka ditur se nuk e ka këtë të drejtë, e ka përpiluar autorizimin e 5 shtatorit 2018 me përmbajtje të pavërtetë, sipas të cilit kinse Bordi Ekzekutiv i Radio Televizionit të Prishtinës, në mbledhjen e 5 shtatorit 2018 ka vendosur që të autorizojë tani të pandehurin Shpëtim Pllana, e këtë autorizim pastaj e ka nënshkruar i pandehuri Hilmi Kastrati.

Tutje, thuhet se pastaj i pandehuri Shpëtim Pllana më 10 prill 2019, në cilësinë e përfaqësuesit të palës së paditur N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, e ka lidhë pajtimin gjyqësor në Divizionin Civil të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke ia pranuar paditësit Shkumbin Qehaja të drejtën e pronësisë mbi ngastrën në fjalë.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Shkumbin Qehaja e ka dorëzuar padinë për rastin e lartpërmendur, me arsyetimin se ngastrën kadastrale e paditura ia ka dhënë tani të ndjerit Tefik Qehaja-baba i të pandehurit Shkumbin Qehaja, si kompensim për shërbime të kryera sipas kontratës për kompensimin e dyanshëm të lidhur mes tyre më 28 qershor 1994, edhe pse e kanë ditur se ngastra e lartcekur është pronë shoqërore e të dëmtuarës N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës” dhe e cila gjendet në menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), që është kompetente e vetme për administrimin e së njëjta.

Sipas aktakuzës, Shpëtim Pllana dhe Shkumbin Qehaja kanë lidhur pajtim gjyqësor duke ia pranuar këtij të fundit të drejtën e pronësisë mbi ngastrën e lartpërmendur.

Tutje, thuhet se mbi bazën e vendimit gjyqësor të 10 prillit 2019, të nxjerrë nga tani i pandehuri Lekë Prenaj, e kanë vënë në lajthim Drejtorinë për Kadastër në Komunën e Prishtinës, e cila më 23 maj 2019 e ka marrë aktvendimin me të cilin e ka aprovuar kërkesën e të pandehurit Shkumbin Qehaja për ndryshimin e titullarit të ngastrës së lartcekur, duke e bartur nga e dëmtuara në emër të këtij të fundit.

Më këto, sipas aktakuzës, të pandehurit Hilmi Kastrati, Shpëtim Pllana, Shkumbin Qehaja dhe Lekë Prenaj i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarës N.Sh. “Radio Televizioni i Prishtinës”, e cila gjendet në menaxhim dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Me këtë, sipas aktakuzës në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” nga neni 403, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. 

Related Articles