Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që t’i caktojë një muaj paraburgim një të arrestuari, që dyshohet se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Vushtrri.
S.S., i cili u arrestua në pikëkalimin kufitar që lidh Kosovën dhe Serbinë në Merdarë më17 gusht, gjendet në ndalim policor prej 48-orësh.
Prokuroria tha se S.S. dyshohet se në bashkëpunim me “me pjesëtarë të tjerë të uniformuar duke vepruar në grup si zyrtarë të mobilizuar rezervistë aktivë me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në Komunën e Vushtrrisë”.
S.S., sipas Prokurorisë Speciale, dyshohet se më 6 prill të vitit 1999, gjatë një aksioni ka plaçkitur, djegur shtëpi si dhe “dhunë fizike dhe seksuale ndaj civilëve të paarmatosur”.
Autoritetet e drejtësisë thanë se ndaj të dyshuarit kanë siguruar prova materiale, përfshirë edhe dëshmi të dëshmitarëve.
Së fundi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur disa aktakuza për krimet që janë kryer gjatë luftës më 1998-’99.
Javën e kaluar, Prokuroria po ashtu dorëzoi një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.
Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-1999 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.