Prokuroria Themelore në Prizren ka treguar detaje për vrasjen e 67-vjeçares në Kuk të Dragashit.
RTV Dukagjini ka siguruar kërkesën për caktimin e masës së sigurisë me ç’rast, në të thuhet se tashmë e ndjera, Saime Domazeti ishte goditur me një dru të ahut dhe jo vetëm, në të gjitha pjesët e trupit. Goditje të tilla i kishin shkaktuar gjakderdhje në tru viktimës duke shkaktuar njëherit, edhe vdekjen e saj.
“Për shkak të dyshimit të bazuar, se me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes motrën e bashkëshortit me të cilën ka bashkëjetuar në ekonomi të përbashkët familjare, në atë mënyrë që me dt.23.12.2022, rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës Saime Domazeti, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë të të pandehurës Nazire Abdyli, në fshatin Kuk-Komuna e Dragashit, me një dru të ahut në gjatrësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë me gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa here viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi me datën 26.312.2022 rreth orës 05:30 minuta, vdes viktima, Saime Domazeti”, thuhet në dokument.
“Nga rrethanat e rastit shteti e ka ditur se Saime Domazeti është në një rrezik real për jetën e saj. Rasti është rast tipik. Prokuroria qe nga 8 nëntori ka qenë në dijeni, ka vendosur pa një vlerësim ta procedojë këtë rast në procodurë të rregullt, nuk kanë bërë kërkesë për mbrojtje as për masë sigurie. Ajo ka qenë viktimë e dhunës në familje, me të meta mendore dhe nuk është referuar për strehimore, dhe është shembulli konkret që Saime. D është privuar nga jeta në dorë të shtetit”, ka thënë Gëzim Shala nga IKD.
Ky i fundit ka theksuar se ushtruesi i detyrës së prokurorit duhet të ofrojë masa diciplinore ndaj të gjithë akterëve të përfshirë në këtë rast.
67-vjeçarja, e cila u gjet e vdekur në fshatin Kuk të Dragashit në mëngjesin e së hënës, dyshohet se ka qenë edhe më parë viktimë e dhunës në familje.
Këtë për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prizren.
“Më datë 21.12.2022, Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër gruas së vëllait të viktimës dhe djalit të gruas së vëllait, për veprën penale “Dhuna në familje”, përkatësisht për dhunë psikologjike ndaj viktimës, sepse viktima ka jetuar në shtëpinë e vëllait të saj”, thuhet në përgjigje.