Gjatë ditës së sotme përmes një konference për media, zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i prezantoi disa gjetje që kanë të bëjnë me dyshime për keqpërdorime me patentë shoferë.
Ai e përmendi edhe njësinë në qytetin e Pejës, ku sipas tij, rreth 666 kandidatë kanë kaluar provimin praktik në kategoritë B, C dhe C1. Të gjithë kandidatët, sipas tij, ishin nga qytete të tjera.
“Kemi hasur në keqpërdorime në Pejë, kemi hasur në një dukuri që tjetër ku nuk ka ndodhur. Në këtë njësi kishte 666 kandidatë gjatë vitit 2023 që kishin kaluar provimin praktik në B, C dhe C1. Të gjithë kanë qenë nga qytete të tjera, si Podujeva, Kamenica, Drenasi, etj. Është e dyshimtë ku një kandidatë nga Kamenica shkon në Pejë për testin praktik”, tha ai.
E lidhur me këtë, Prokuroria e Pejës konfirmoi të premten për Radion Evropa e Lirë se e ka nisur një hetim në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me patentë-shoferë në këtë pjesë të Kosovës.
Durmishi ka përmendur një ekzaminer i cili sipas tij, për dy javë i ka kaluar 200 kandidatë.
“Kemi një rast një ekzaminer për dy javë në Pejë i ka kaluar 200 kandidatë në pjesën praktike, kjo ësht dukshëm mbi mesataren, dhe kandidatët janë nga komunat e tjera”, tha ai.
Më tutje Durmishi po ashtu theksoi se nëse dyshimet vërtetohet atëherë do t’i anulojë provimet që kanë qenë të kundërligjshme.