Prokuroria ngre aktakuzë me kërkesën për dëbim të dy rusëve që u arrestuan dje në Jarinjë

Prokuroria ngre aktakuzë me kërkesën për dëbim të dy rusëve që u arrestuan dje në Jarinjë

Policia e Kosovës sot përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se në Jarinjë janë arrestuar dy persona me pasaporta ruse dhe që nuk kishin vizë të Kosovës. Ata dyshohet se kishin hyrë në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

“KALIM ILEGAL I KUFIRIT- SPK Jarinje 05.05.2024-20:10. Raportohet se në dalje në SPK Jarinje janë hasur dy persona me pasaporta ruse (një mashkull dhe një femer) të cilet nuk kishin viza të Republikës së Kosovës. Pas verifikimit të personave, të njejtit nuk kishin hyrje/dalje në Republiken e Kosovës. Sipas tyre, të njejtit kanë ardhe nga Nishi i Serbsë dhe kanë përfunduar në SPK Jarinje, dyshohet se kanë ardhur rrugëve ilegale. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje.”

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj tyre me kërkesën për dëbim jashtë territorit të Kosovës.

Këtë për Gazetën Express e konfirmoi zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë për dy personat e ndaluar, ka ngritur aktakuzë me kërkesën për dëbim jashtë territorit të Kosovës, për shkak të veprës penale “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare””, ka thënë Preteni. 

Më 30 shtator të vitit 2022, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.

“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje-qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Shengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës”, kishte thënë Kurti. 

Related Articles