Prokuroria nis hetimet ndaj Mehmetajt dhe Kajtazit

Prokuroria nis hetimet ndaj Mehmetajt dhe Kajtazit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetime penale ndaj dy gazetarëve, Vehbi Kajtazi dhe Lirim Mehmetaj, për zbulimin e identitetit të zyrtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), shkruan Enigma.

Kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Zejnullah Gashi tha se rasti i është ndarë një prokurori.

“Po, kanë nisur hetimet. Rasti i është ndarë një prokurori”, ka thënë Gashi në një bisedë telefonike me Paparacin.

Gazetari Vehbi Kajtazi tha të martën se ai dhe tre gazetarë të tjerë, Berat Buzhala, Ilir Mirena dhe Lirim Mehmetaj ndodhen nën vëzhgim të paligjshëm nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Kajtazi tha se këto veprime të pretenduara të AKI-së dëshmojnë për shndërrimin e agjencisë në “organizatë kriminale të pushtetit”.

Lidhur me hetimet që po zhvillohen ndaj tij dhe gazetarit Lirim Mehmetaj, Kajtazi tha se rasti është iniciuar nga AKI-ja përmes një raporti që agjencia i ka dërguar ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

“Kelmendi, këtë shkresë që kërkohet burgim për mua dhe Lirimin, ia ka dorëzuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, tha Kajtazi në një shkrim në rrjetin social ‘Facebook’ të martën.

Sipas Kajtazit, hetimi ndaj tij dhe Mehmetajt ndërlidhet me ekspozimin e implikimit të AKI-së në lajmin e mediumit me bazë në Bosnjë e Hercegovinë, Slobodna Bosna, i cili raportoi për gjoja financimin e dy portaleve kosovare nga Serbia. 

Related Articles