Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për hetimin e kërcënimit të pretenduar të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, në Kuvendin e Kosovës të enjten.
Policia e Kosovës është autorizuar të ndërmarrë “veprimet e nevojshme” lidhur me kërcënimin e pretenduar të Bislimit nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.
Nisjen e procedurës hetimore për rastin e ka konfirmuar për Paparacin zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Referuar pyetjes suaj, iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë çështje”, ka thënë Ulaj për Paparacin të enjten.
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Kosovës, ka thënë sot se është kërcënuar nga Abelard Tahiri gjatë seancës parlamentare që po mbahet të enjten.
“Ish ministri i Drejtësisë dhe deputeti nga kjo foltore u kthye me një sërë akuzash, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni me stilin e një banditi që i vendos shurdhues armës. U kthye nga unë me një sërë kërcënimesh dhe nga foltorja e tij me sharje dhe mendoj që do të ishte mirë që prokuroria me marrë masa për rastin”, tha Bislimi.