Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se janë ndaluar gjashtë persona për sulmin ndaj Policisë së Kosovës. Ata dyshohen për disa vepra penale, pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit. Një nga to është për vepra terroriste.
“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, janë veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit.
Po ashtu, Prokuroria ka thënë se nga aksioni i sotëm i Policisë janë sekuestruar automjete të mbushura me sasi të konsiderueshme të armatimit të llojeve të ndryshme.
Të ndaluarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.