Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar të premten se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, të caktohet masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj avokatit Besnik Berisha dhe gjashtë të tjerëve me inicialet N.Xh., I.S., R.C., F.Z., J.V., dhe A.S., të cilët gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
Sipas Prokurorisë, për të pandehurin N.Xh., ekziston dyshimi se ka kryer veprat penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare.
Ndërsa, për të pandehurin Besnik Berisha ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave‘ dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Për të pandehurin I.S., Prokuroria njofton se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Për të pandehurin e radhës, J.V., ekziston dyshimi i bazuar se ka veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.
Ndërsa, ndaj të pandehurit me inicialet F.Z., ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”.
Ndaj të pandehurit me inicialet R.C., Prokuroria ka bërë të ditur se, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” dhe ndaj A.S., sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.