Pronarët e tokës në Korenicë të Gjakovës, ku e ndjera Pashkë Marku vendosi të vetëflijohet pasi kreu të pamën e dy djemve të vrarë nga forcat serbe, thanë se vendosja e gurit gjigant u bë pa lejen e tyre.
Time Balaj, gruaja e pronarit Hasan Balaj, tha se vite më parë iu dhanë leje familjes Marku ta vendosin një pllakë të vogël përkujtimore për nënën e tyre që e dogji veten me benzinë, por jo ta përkujtojnë në kësi forme, me një gurë të madh të sjellë nga bjeshka.
Balajt bile kanë dyshime nëse Nëna Pashkë, siç njihet ndryshe, e pati djegur veten me benzinë pikërisht në tokën e tyre. Familja thanë se kjo mund të ketë ndodhur në mes të arës së tyre dhe të një komshiu tjetër.
73 vjecarja Time Balaj poashtu mohoi t’u ketë penguar vizita e kryeministrit në pronën e tyre, ashtu siç është raportuar.
Ndërkohë, familja Marku gjatë së premtes i thanë televizionit se guri i bjeshkëve të Strellcit u vendos me leje të pronarit në vitin 2004 por që 3 viteve të fundit i njëjti ka shtuar presionin për ta larguar nga aty.
Megjithëkëtë, puna për rrënimin e tij u ndalua pas vendimit të Agjencionit për Memoriale, institucion ky që i bëri thirrje policisë për reagim deri në një vendim të radhës.