Përleshjet në lokale të ndryshme në qytetet e Kosovës, të cilat veprojnë edhe pas mesnate janë bërë mjaft të shpeshta. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë edhe në sulme, siç dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Rahovec. Gazeta Sinjali ka raportuar se në një lokal me muzikë live në fshatin Xerxë, një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një tjetër, për motive akoma të panjohura.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për lokalin “Pandora” dhe i dyshuar për rastin është pronari Shqiperim Hoxhaj, i cili është arrestuar posa rasti është denoncuar.
I njëjti ka qëndruar edhe në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se viktima është dërguar në spital për tretman mjekësor, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar.
“Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, mbi dyshimin se rreth orës 01:30 në fshatin Xerxë në Rahovec kishte sulmuar fizikisht viktimën, po ashtu mashkull kosovar, derisa kishin qenë në një lokal ku mbahej muzikë. Viktima ka pranuar ndihmë mjekësore si dhe është njoftuar prokurori i shtetit, me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast “Lëndim i lehtë trupor””, ka thënë Elezaj.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.