Propozimi francez do të diskutohet gjatë kësaj jave në Kuvend, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë deputetët e shumicës parlamentare të Maqedonisë së Veriut.
Por, ndërmjet pushtetit dhe opozitës vazhdojnë përplasjet rreth përmbajtjes së propozimit francez, i cili duhet t’u japë fund dallimeve që ka Shkupi me Sofjen zyrtare dhe të zhbllokohet procesi i integrimeve evropiane.
Maja Moraçanin, deputete e partisë Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë, pjesë e koalicionit qeverisës, për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se gjatë mbrëmjes së kaluar me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin për Integrime, Bojan Mariçiq, kanë rënë dakord që përmes një debati në Kuvend të qartësohen të gjitha dilemat rreth propozimit.
“Procesi negocues me Bashkimin Evropian duhet të bazohet në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, dhe jo çështjet bilaterale të bëhen pjesë e këtyre bisedimeve. Nëse hyjmë në këtë rrugë, ajo do të jetë pa fund. Kjo gjë duhet të definohet qartë përmes konkluzave që do t’i miratojë Kuvendi pas debatit për këtë çështje”, thotë Moraçanin.
Por, opozita maqedonase, VMRO DPMNE, nuk beson se debati për propozimin francez do të kalojë në Kuvend.
“Mendoj se do të bëhet gjithçka që është e mundur që ta anashkalojnë Kuvendin pasi ka gjëra, të cilat i fshehin (drejtuesit e Qeverisë) dhe nuk dëshirojnë të hapet debat në institucionin ligjvënës për këtë çështje, aty ku të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve do të mund t’i shpalosnin gjërat e mira dhe ato të këqijat rreth propozimit francez”, thotë Bojan Stojanovski, deputet i VMRO DPMNE-së.
Ekspertët: Propozimi francez duhet të ketë mbështetjen partive relevante
Në këtë drejtim, Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi si instancë e fundit duhet të jetë institucioni, i cili do të shprehej kundrejt propozimit francez pasi të jetë miratuar si propozim nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.