Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka hedhur poshtë propozimin e Rusisë për një armëpushim të përkohshëm dy ose tre-ditor, duke e cilësuar atë si një taktikë për të fituar kohë dhe për të shmangur sanksionet e reja amerikane.
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Zelensky u shpreh se qëllimi i vërtetë i Moskës nuk është humanitar, por politik.
“Mendoj se janë budallenj, sepse një armëpushim synon të ndalojë viktimat, jo të manipulojë me kohën dhe presionin ndërkombëtar,” tha ai.
Kreu i shtetit ukrainas theksoi se Ukraina qëndron në kërkesat e saj fillestare: një armëpushim të plotë dhe pa kushte, shkëmbimin e të burgosurve, kthimin e civilëve dhe të fëmijëve të rrëmbyer, si dhe përgatitjen për një takim të nivelit të lartë mes liderëve.
Zelensky u bëri thirrje SHBA-ve të mos e vonojnë paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë, duke nënvizuar se presioni ekonomik është mënyra e vetme që Moska e kupton. Ai theksoi se kanë kaluar tre muaj nga sinjali i parë për një armëpushim të plotë, të cilin Ukraina e kishte mbështetur.