Propozohet që Kupa e Botës 2030 të luhet me 64 kombëtare

Propozohet që Kupa e Botës 2030 të luhet me 64 kombëtare

Presidenti i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), Alejandro Dominguez, propozoi që Kupa e Botës në vitin 2030 të zgjerohet në 64 ekipe kombëtare.

Kupa e Botës 2030 do të mbahet në tre kontinente.

Uruguai ishte nikoqiri i parë njëqind vjet më parë dhe do të organizojë një ndeshje, ndërsa nikoqirë do të jenë edhe Paraguai, Argjentina, Spanja, Portugalia dhe Maroku.

“Ne jemi të bindur se festimi i njëqindvjetorit do të jetë unik, pasi 100 vjet festohen vetëm një herë. Prandaj ne propozojmë që ky përvjetor të shënohet me 64 ekipe”, ka thënë fillimisht Dominguez gjatë fjalimit të hapjes në Kongresin e 80-të të Rregullt të CONMEBOL.

32 ekipe garuan në Kupën e Botës në Katar në vitin 2022 dhe 48 ekipe kombëtare do të luajnë në Kupën e Botës së ardhshme në SHBA, Meksikë dhe Kanada verën e ardhshme.

Duke e zgjeruar formatin në 64 skuadra, ekipet kombëtare anëtare të CONMEBOL-it do të përfitonin më shumë sepse të dhjetë përfaqësueset do të shkonin direkt në turneun final.

“Kjo do t’i lejojë të gjitha vendet e CONMEBOL të kenë mundësinë për ta përjetuar këtë”, përfundoi presidenti i CONMEBOL.

Nga anëtarët e CONMEBOL, vetëm Venezuela nuk ka luajtur kurrë në Kupën e Botës.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka thënë më herët se një Kampionat Botëror me 64 ekipe është një ide e keqe.

Related Articles