Protestat e udhëhequra nga studentët në Serbi, kanë hyrë në muajin e tetë ndërkaq mbrëmë, janë shënuar akte të dhunshme ndaj protestuesve në disa vende si Beograd dhe Novisad.
Të enjtën mbrëma në Beograd dhe në Novisad janë shënuar incidente gjatë protestave kundër Qeverisë serbe.
N1, raporton se në disa pika të protestës, policia ka përdorur disa herë gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
N1 citon Ivica Daçiqin të ketë thënë se ‘janë lënduar mbi 40 policë dhe janë arrestuar 37 protestues’.
“Policia reagoi dhe ndërhyri, përdori mjete kimike aty ku ishte e nevojshme për të zmbrapsur sulmin ndaj vetes. Ky ishte një sulm ndaj shtetit. Ku e merr dikush të drejtën ta sulmojë një polic?”, tha Daçiq.
N1 raportoi se pranë ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd u hedhën mjete piroteknike ndaj qytetarëve.
Në Novi Sad janë demoluar zyrat e SNS-së, ndërsa në rrjetet sociale po shpërndahen video ku shihet se si forcat policore në Valjevë po rrahin brutalisht protestuesit në atë qytet.
Në protestën në Nish ka pasur disa incidente të vogla, kur demonstruesit kanë goditur policinë me vezë, raporton televizioni N1.
Në Kralevë, qytetarët kanë mbërritur deri te zyrat e SNS-it dhe policia ka bllokuar rrugën ku ndodhen zyrat e kësaj partie dhe selia e policisë, njofton N1.
Policia ka bllokuar hyrjen në zyrat e SNS-it edhe në Leskoc.
Protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po zgjasin për më shumë se tetë muaj. Kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.