Mijëra serbë mbushin rrugët në prag të protestës së madhe kundër Vuçiqit

Mijëra serbë mbushin rrugët në prag të protestës së madhe kundër Vuçiqit

Beogradi sonte pret demonstrues nga qytete të tjera të Serbisë në prag të protestës së madhe të nesërme të studentëve dhe qytetarëve kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiqit.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, mijëra studentë dhe qytetarë janë mbledhur në rrugët e kryeqytetit serb, raporton nova.rs.

Studentët nga Nishi, të cilëve transportuesit u anuluan gjashtë autobusë në momentin e fundit, arritën të gjejnë mënyrë për të udhëtuar falë ndihmës së qytetarëve. Vetëm një orë e gjysmë u desh për të organizuar transportin për të gjithë 320 studentët e vendosur për të marrë pjesë në protestën e madhe të planifikuar për 15 mars.

Solidariteti është shfaqur edhe në qytete të tjera të Serbisë – në Kragujevc u ndal shitja e biletave për Beograd, ndërsa kompania e transportit “Lasta” anuloi nisjet nga Novi Sadi drejt kryeqytetit.

Ndërkohë, studentët që po marshojnë nga qytete të ndryshme të Serbisë po afrohen gjithnjë e më shumë në Beograd. Kolona nga Novi Sadi ka arritur në Zemun, ndërsa studentët nga jugu i vendit kanë kaluar Ostruzhnicën.

Në Beograd po bëhen përgatitje për pritjen e tyre. Në Sheshin e Republikës, studentët po vendosin çadra për ndihmën e parë, ushqim dhe pije për ata që kanë ecur ose kanë ardhur me biçikleta. Në Terazije, ku është planifikuar grumbullimi, po mblidhen gjithnjë e më shumë qytetarë. Disa nga mesazhet e shkruara në pankarta përfshijnë “Pumpaj”, “Tigri ekonomik”, ndërsa shihen edhe flamuj të Serbisë dhe banera të fakulteteve.

Në të njëjtën kohë, në qendër të qytetit vërehet prani e shtuar policore. Në parkun Pionir kanë arritur përforcime policore, ndërsa një i ri është arrestuar pasi tentoi të ndizte një traktor. Qytetarët raportuan se brenda një traktori janë gjetur një sëpatë dhe një thikë.

Bllokadat tashmë kanë filluar – trafiku është ndalur nga Sheshi i Republikës deri te Parku Pionir, ndërsa rrugët kryesore të Beogradit janë mbyllur për automjetet.

Studentët më herët i kanë dërguar një letër komuniteteve fetare, duke i ftuar të bashkohen me protestën, ndërsa disa zyrtarë politikë kanë paralajmëruar se viti shkollor mund të zgjatet për shkak të ndërprerjes së mësimit.

Të gjitha sytë tani janë drejtuar nga e shtuna, kur sipas organizatorëve, pritet të mbahet një nga tubimet më të mëdha studentore në historinë e Serbisë.

Related Articles