Protestë në Shkup, kërkohet lirimi i menjëhershëm i ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani

Protestë në Shkup, kërkohet lirimi i menjëhershëm i ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani

Ish- veteranë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, invalidë të luftës dhe familjarë të Dëshmorëve, kanë protestuar sot para Gjykatës Themelore – Shkupi 1, me të vetmen kërkesë, lirimin e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadanit, i cili u arrestua nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia.

Veterani, Mevludin Bajrami, e ka dënuar arrestimi dhe ka kërkuar tërheqjen e urdhërarrestit të lëshuar nga regjimi i Vuçiqit dhe mospërsëritjen e veprimeve të autoriteteve policore dhe gjyqësore nën diktatin e Serbisë.

“Në emrin tim dhe në emrin tuaj i përshëndes të gjithë familjarët e dëshmorëve të luftës, invalidët e luftës. Dhe ish ushtarët e UÇK-së. Arrestimi i ish ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadani dhe dërgimi në paraburgim ekstradues nga policia e Maqedonisë së Veriut dhe nga gjykata vendore është i papranueshëm. Ne veteranët dhe bashkëluftëtarët e Blerim Ramadanit kërkojmë lirimin e menjëhershëm, tërheqjen e urdhër-arrestit të regjimit të Vuçiqit, dhe mospërsëritjen e vlerësimit të autoriteteve policore, gjyqësore nën diktatin e Vuçiqit dhe Serbisë nën diktatin e UÇK-së”, tha Bajrami, shkruan KlanMacedonia.

Ai theksoi se ky akt, 25 vite pas luftës së drejtë të shqiptarëve për liri dhe barazi, është i papranueshëm dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të Ramadanit.

“Blerim Ramadanit i kanë caktuar masën 30 ditore të paraburgimit me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup. Blerim Ramadani është ndaluar në 17 korrik të 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë bazuar në një fletarrest të lëshuar nga gjykata e Beogradit përmes interpol Serbia, ky akt 25 vite pas luftës së drejtë të shqiptarëve për liri dhe barazi, demokraci dhe pavarsi është i papranueshëm dhe ne kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm pa asnjë vonesë dhe kthimin e tij në familjen e tij. Çdo ditë vonesë është tendencë për poshtërimin dhe ofendimin e luftës tonë të drejtë, dhe kjo mendësi dhe veprimtari nuk do të tolerohet”, theksoi veterani, Mevludin Bajrami.

Related Articles