Delegacioni i Bashkimit Evropian, ka reaguar pasi mazhoranca në Parlamentin e Shqipërisë ka rrëzuar me 82 vota, kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
BE tha se sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian
“Bashkimi Evropian është në dijeni të rezultatit të votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë. Angazhimi ndaj shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit janë të një rëndësie thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE. Sigurimi i një mjedisi të përshtatshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagim.
Deputetët e partisë në pushtet të kryeministrit Edi Rama me 82 votat e tyre pamundësuan heqjen e imunitetit të Ballukut, duke nxitur protestë nga deputetët opozitarë brenda sallës së Kuvendit.
Për heqjen e imunitetit të Ballukut, e cila u shkarkua nga Rama ditë më parë, nevojitej një shumicë e thjeshtë prej 71 votash.
Në procesin e votimit ra në sy mungesa e deputetëve Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj si dhe ministrit Blendi Gonxhe.
Kryeministri Rama e mbështeti vendimin, duke thënë se Kuvendi “me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem”.
Ai shkroi në X se shumica e tij qeverisëse e bëri sot “pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Evropës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti si kjo kërkesa e sotme, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen”.
“Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë”, shtoi ai.
Jashtë godinës së Kuvendit, opozita protestoi për më pak se dy orë dhe protestuesit u larguan pas një fjalimi të shkurtër të kryetarit të PD-së, Sali Berisha.
Demokratët njoftuan protestën e ardhshme në 22 mars.
SPAK ka ngritur aktakuzë kundër Ballukut për “shkelje të barazisë me tenderë” në rastin që ka të bëjë me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
Atëbotë, ajo e mbante pozitën e zëvendëskryeministres dhe ministres së Transportit dhe Energjetikës.
Balluku është nën hetime edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me disa projekte infrastrukturore në Tiranë.
Më 26 shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama e shkarkoi Ballukun nga postet qeveritare.
