Partia Socialdemokrate e Kosovës përmes një konference për media ka kërkuar që të lirohet kryetari i saj Dardan Molliqaj, pasi konsiderojnë që është arrestuar pa një fletarrest dhe ka shtuar se fletarresti është përpiluar vetëm pasi ai ishte dërguar në stacion policor, shkruan Gazeta Enigma.
Anëtari i kryesisë së PSD-së, Dren Kukaj ka thënë se në operacion policor sot morën pjesë 60 policë me armë të gjata dhe gjithçka sipas tij ishte e orkestruar.
“Nuk i është prezantuar fletarresti as në momentin kur është arrestuar e as brenda stacionit. Kemi kuptuar se fletarresti është lëshuar pasi është realizuar operacioni policor. Ka qenë 15 minuta pasi ka shkuar në stacion, kur ka filluar të përpilohet fletarresti”, tha Kukaj.
“Ne nuk na është dhënë, vetëm një ‘screenshoot’ na është dërguar dhe nga ora e kemi parë se është përpiluar pas arrestimit. Kemi të bëjmë me një operacion policor të organizuar me mbi 60 policë me armë të gjata e që është realizuar brenda hapësirave të një televizioni”.
Ai ka pohuar se Dardan Molliqaj sot ishte në zyrë dhe po ashtu në aktivitete në Prishtinë, ndërsa është arrestuar në hapësira të një televizioni.
“Fakti se kemi operacion të organizuar në mbrëmje para mbajtjes së një debati televiziv, dhe pa një fletarrest, tregon se çdo gjë ishte e motivuar dhe orkestruar politikisht. Nuk kemi të bëjmë me rast të thjeshtë të procedurës penale, kemi të bëjmë me një orvajtje të shtetit të Kosovës përkatësisht partisë në pushtet kundrejt Dardan Molliqajt, kryetarit të PSD-së. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tij, e paralajmërojmë marrjen në përgjegjësi të gjithë zinxhirit komandues të sistemit të drejtësisë”.
Ndërkaq anëtarja tjetër e PSD-së, Natyra Kuçi, theksoi se “qëllimi i kësaj shfaqje është frikësimi, intimidimi i opozitës, kundërshtarit politik”.
“Nga këtu, nga zyrat e PSD-së, themi se nuk frikësohemi, nuk sprapsemi e nuk harrojmë kauzën e gjithë rrethanat pse nisi kjo shfaqje. Bëmë kundërshtim të madh, mblodhëm 3000 vetë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të rrymës. Kjo e tmerroi Albin Kurtin e pushtetin që po tenton ta kapë shoqërinë e shtetin në duart e veta. Ftojmë mediat, e gjithë arkivistët e kundërshtarët të këtij pushteti autoritar, që të na bashkohen në aktivitete të mëtejme”, potencoi Kuçi. /Gazeta Enigma/