Ndalimi i presidentit të FFK-së, Agim Ademi me 30 ditë arrest shtëpiak, pas shumë akuzave të cilësuara si shpifje dhe shantazhe , që bëheshin nga ish-zyrtarë të kësaj federate si dhe zvarritja e procesit të licencimit të FFK-së nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport me gjasë po dalin të jenë procese të parapërgatitura dhe të iniciuara nga grupet e interesit, që qëllim kanë kapjen e FFK-së.
Është pikërisht ish-puntori i Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Arianit Ahmeti, i cili ishte përjashtuar nga kjo organizatë, i cili sot në rrjetin e tij social ka kërkuar dorëheqjen e presidentit Ademi dhe të sekretarit Taulant Hodaj, duke i quajtur ata fajtorë për moslicencimin e FFK-së. Ai ka kërkuar që Ademi e Hodaj të kërkojnë falje dhe t’i lirojnë pozitat e tyre, pasi sipas tij licencimin e FFK-së mund ta bëjnë, po citojmë, “ata që dinë dhe punojnë për interesa të zhvillimit të futbollit, e jo ata që e shfrytëzojnë futbollin për ta zhvatur buxhetin e tij”.
Po ky i njëjti person nuk la gjë pa bërë e pa deklaruar kundër njerëzve të futbollit dhe klubeve të futbollit në çdo emision televiziv e në çdo postim në Facebook.
Sado që duket se ky grup (i interesit) i ka futur rrënjët edhe në disa institucione, përfshirë Komisionin për Licencim të federatave, komuniteti i futbollit shihet se është i vetëdijshëm e koherent për të mos lejuar askë që të fus duart me qëllim keqpërdorimi, brenda FFK-së.
Është e qartë se ata nuk kanë ndërmend të ndalen, por është dëshmuar se gjasat për ta përmbysur vullnetin e komunitetit të futbollit janë baras me zero.
Ajo çfarë është për t’u habitur është fakti se si një ministër ia lejon vetes që t’i besojë verbërisht një komisioni i cili dorën në zemër që nga dita e parë, ka shpërfaqur vullnet të shtuar për ta penguar FFK-në drejt licensimit, e që rëndom është shtruar pyetja, kujt po i shërbejnë, futbollit jo e jo!
Zvarritja e procesit të licencimit dhe ndërhyrja në autonomine e FFK-së mund të shkaktojë dëme serioze për futbollin në Kosovë dhe për imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, madje edhe deri në përjashtim nga UEFA e FIFA?!
MKRS duhet të jetë e vetëdijshme për rëndësinë e futbollit në Kosovë dhe të punojë në interes të zhvillimit të futbollit, e jo të bëhet pengesë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që ajo të kujdeset që procesi i licencimit të FFK-së të jetë transparent dhe të mos lejojë që grupet e interesit të kapin këtë organizatë.
Gjithashtu, është e rëndësishme që ministri Çeku të kuptojë rëndësinë e situatës aktuale dhe të veprojë në interes të futbollit dhe të FFK-së.
Ministër vlerësoje situatën mirë dhe mos lejo të biesh pre e grupeve të interesit, kushdo qofshin ata.