Kosova mori një fitore të thellë me rezultat 4-0 në udhëtim tek Qipro, duke lënë kështu pas krahëve humbjen e dhimbshme që pësuan ndaj Rumanisë në ‘Fadil Vokrri’.
Një prej lojtarëve më të mirë në fushë në këtë takim ishte padyshim Vedat Muriqi, i cili ishte autor i dy golave të shënuar.
Fillimisht ai arriti që të shënojë në minutën e tetë duke u treguar i saktë nga pika e bardhë për rezultatin 1-0.
Ylli i Mallorcas nuk u ndal më kaq dhe e gjeti edhe golin e dytë, kësaj radhe në minutën e 20-të pas asistimit të Donat Rrudhanit.
Mirëpo, ajo që i la tifozët të habitur ishte fakti se Muriqi nuk u paraqit më në pjesën e dytë dhe u zëvendësua nga Albion Rrahmani i cili eventualisht arriti të shënojë.
Sipas raportimeve të fundit, Muriqi ishte në dyshim për këtë sfidë për shkak të një lëndimi që kishte pësuar ndaj Rumanisë.
Sidoqoftë, ai kishte dashur që të luajë me çdo kusht në këtë duel dhe për këtë arsye e sforcoi veten për ta nisur nga minuta e parë.
Si do që të jetë, lëndimi duket se nuk e ka lënë rehat gjatë ndeshjes, pasi sulmuesi shtatgjatë ka kërkuar zëvendësimin pas pjesës së parë, shkaku edhe i një përplasje që pati me portierin Visar Bekaj.
Mbetet të shihet se sa ka qenë serioz ky lëndim dhe se a do të jetë i gatshëm Muriqi për ekipin e tij Mallorca pas pauzës së kombëtareve.