Paris Saint-Germaini nuk ka arritur të fitojë përballë RB Leipzigut në ndeshjen e zhvilluar në Red Bull Arena Leipzig, të vlefshme për fazën grupore në Ligën e Kampionëve.
Vetëm pas tetë minutazh lojë, Christopher Nkunku e zhbllokoi rezultatin duke i kaluar vendasit në epërsi.
Gianluigi Donnarumma u tregua edhe njëherë vendimtar në minutën e 12-të duke mbrojtur penalltinë e ish-bashkëlojtarit të tij, Andre Silva.
Në anën tjetër, Georginio Wijnaldum i barazoi shifrat pas asistimit nga Kylian Mbappe (21’). I njëjti futbollist e përmbysi rezultatin, kurse kësaj radhe asistoi Marquinhos (39’).
Avantazhi i parisianëve vazhdoi deri në minutat shtesë kur u akordua penallti në favor të vendasve dhe kësaj radhe Donnarumma nuk arriti ta priste goditjen e Dominik Szoboszlai, i cili i barazoi shifrat (90’+2).
Paris Saint-Germaini ndodhet në vend të dytë në Grupin A me një pikë prapa liderit Manchester City, derisa RB Leipzigu ka vetëm një pikë nga katër ndeshje.