Dukuria e vrasjeve të shpeshta në Kosovë po ndodhë si pasojë e nevojës së shfaqjes së dominancës, pushtetit e pasurisë, vlerëson psikologu Petrit Thaçi.
Thaçi thotë se këto akte kriminale mund të jenë edhe si shkak i të kaluarës së tyre, zhvillimit e adoleshencës, për çka thekson se mund të kenë vuajtur akte të dhunës.
“Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, që shtyjnë drejt akteve kriminale. Pra aktet kriminale janë një shpërthim kulminant i dhunës, që ka bazë mbi instiktin ose impulsin tonë të agresionit, që është një impuls i natyrshëm, por që është i dizajnuar të jetë pjesë e jona si pjesë e mbijetesës tonë, si pjesë e ekzistencës tonë si pjesë e asaj ku ne ndihemi të rrezikuar që integriteti jonë fizik, ose diçka tjetër po të cenohet në mënyrë vulgare”, tha Thaçi.
Ndër të tjera, psikoterapeuti, Petrit Thaçi thekson se kjo dukuri në Kosovë mund të jetë edhe si pasojë e mos trajtimit të këtyre rasteve seriozisht nga ana e institucioneve të drejtësisë dhe reagimit policor.
“Shumica prej kryerësve, prej akterëve të akteve të fundit kanë vepra kriminale që kalojnë numrin 100 dhe ata janë ende të lirë, në kafiteritë, në trafik, në shoqërinë tone. Dhe shtrohet pyetja si është e mundshme, pra sistemi i drejtësisë duhet të ketë parasysh që masat ndëshkuese nuk janë vetëm për të rehabilituar ose për të rintegruar personin në shoqëri por për të krijuar edhe një efekt më të largët më të gjatë në një formë edhe për shoqërinë”, tha ai për KP.
Vetëm për një javë në Kosovë kanë ndodhur tri raste të vrasjeve, ku kanë humbur jetën tre persona.