Mëngjesi i sotëm e gjeti Kosovën me një tjetër ngjarje tronditëse. Brenda një jave u shënua e treta vrasje e rëndë.
Kësaj here dy persona të maskuar hynë në një lokal në fshatin Runik të Skenderaj dhe qëlluan me armë në drejtim të disa personave, duke lënë kështu të vrarë në vend 39-vjeçarin, Nexhmedin Loshi, ndërsa plagosën tre persona tjerë.
Tëvë1 ka publikuar pamje nga lokali, pak minuta pas të shtënave me armë zjarri në drejtim të katër personave.
Disa vajza dëgjohen duke bërtitur “ka vdekë njeri’ dhe duke qajtur.
Rastin për Gazetën “Enigma” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka bërë me dije se të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur dhe ende nuk janë identifikuar.
“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Gjitha veprimet e ndërmarra policore, janë udhëhequr nga prokurori i rastit i cili ka dalë në vend të ngjarjes ndërsa i njëjti ka autorizuar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore . Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, tha Zahiti.