Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai i Ukrainës, Volodymyr Zelensky kanë pasur diskutime “produktive” gjatë qëndrimit të tyre në Vatikan, në ceremoninë mortore të Papa Françeskut.
Drejtori i komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung ka konfirmuar të shtunën se Trump dhe Zelensky janë takuar para funeralit.
“Ata dy janë takuar privatisht dhe kanë pasur diskutime shumë produktive” – ka thënë Cheung, duke shtuar se “detaje të tjera priten më vonë”, raporton CNN.
Fotografi të publikuara nga presidenca ukrainase, tregojnë të dy liderët në një diskutim të afërt, pa ndihmësit e tyre.
Një zëdhënës i Zelenskyt ka thënë se takimi zgjati rreth 15 minuta, dhe dy liderët u pajtuan që të vazhdojnë diskutimet, me shumë gjasë, më vonë gjatë së shtunës.
“Ekipet po punojnë që ta organizojnë këtë” – ka thënë një zëdhënës.
Mediat ndërkombëtare kanë theksuar se ky është takimi i parë mes dy liderëve, që prej kur presidenti Zelensky u përzu nga Shtëpia e Bardhë pas diskutimeve të ashpra me Trump dhe J.D Vance në Zyrën Ovale.