Autoritetet lokale ruse në rajonin e Krasnodar, i cili shtrihet në anën lindore të urës së Krimesë kanë njoftuar zyrtarisht vdekjen e një çifti dhe plagosjen e vajzës së tyre nga shpërthimet mbi urë.
Qeveria pro-ruse e Krimesë ka shpallur bllokimin e qarkullimit të mjeteve në urën 19 kilometra të gjatë, teksa i kanë konsideruar shpërthimet si sulme terroriste duke akuzuar Kievin për to.
“Sonte regjimi terrorist në Kiev kreu një krim të ri. Ata sulmuan urën e Krimesë, që është një strukturë civile për qarkullimin e mjeteve”.
Kështu shkruan në Telegram kreu i parlamentit të Krimesë, Vladimir Konstantinov, siç raporton agjencia Tass.
Konstantinov thekson se shinat hekurudhore nuk janë dëmtuar dhe se shërbimi i autobusëve është rikthyer pjesërisht në funksion.
Ndërkohë, burime të paspecifikuara nga SBU-ja ukrainase, konfirmojnë për Rbc-Ukrainë se sulmi gjatë orëve të para të mëngjesit në urën e Krimesë ishte një operacion special i organizuar prej tyre dhe Forcave Detare të Kievit.
“Ura u sulmua duke përdorur drone sipërfaqësore. Ishte e vështirë për të arritur në urë, por përfundimisht u bë e mundur”, tha një burim për Rbc.
Kreu i SBU, Vasyl Malyuk, tha më parë se ura ishte një objektiv krejtësisht legjitim për Ukrainën dhe premtoi të zbulojë detaje më vonë, ndërsa media të tjera ukrainase raportuan të njëjtin informacion.
.