Publikohet amaneti i fundit i Rexhep Qosjes: Varrim pa ritual fetar dhe pa prani zyrtare

Publikohet amaneti i fundit i Rexhep Qosjes: Varrim pa ritual fetar dhe pa prani zyrtare

Valjet Rexhepi, nipi i akademikut Rexhep Qosja, ka publikuar një letër prekëse të shkruar me makinë shkrimi, të lënë nga gjyshi i tij, duke e cilësuar atë si dëshmi të fjalës dhe amanetit të tij të fundit.

Në postimin e bërë publik, Rexhepi thekson se letrën po e ndan “duke respektuar amanetin që më është besuar”, ndërsa dokumenti mban datën 30 prill 2016 dhe është shkruar nga vetë Qosja në gjendje të vetëdijshme dhe mendje të kthjellët.

Në letër, akademiku kërkon që varrimi i tij të bëhet pa ritual fetar dhe pa prani zyrtare, duke theksuar bindjet e tij për jetën dhe shoqërinë.

“Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor… dua të jem i varrosur pa ritual fetar”, shkruan ai.

Po ashtu, ai kërkon që ceremonia të jetë e thjeshtë dhe private, vetëm në praninë e familjarëve.

“Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi… pa fjalime, pa medie, pa lule”, thuhet në letrën e tij, ku shpreh edhe dëshirën për t’u varrosur pranë bashkëshortes së tij, Shpresës.

Në mesazhin e tij të fundit, Qosja vlerëson jetën dhe veprën e tij në shërbim të popullit shqiptar, duke theksuar se ia ka kushtuar ato lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike.

“Vdes i qetë”, shkruan ai, duke shtuar se për vlerësimin përfundimtar të kontributit të tij do të flasin historianët e ardhshëm.

Letra përmbyllet me reflektime personale, ku akademiku pranon se mund të ketë pasur gjykime të ashpra në jetën e tij publike, por thekson se gjithmonë ka vepruar duke synuar të mirën dhe duke përhapur njerëzillëkun.

Related Articles