Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Grazit dje, kur një 21-vjeçar, i identifikuar si Artur A., ka kryer një masakër të përgjakshme në shkollën e mesme BORG. Arturi, i cili kishte qenë më parë nxënës i kësaj shkolle, hyri në ndërtesë i armatosur me një pistoletë dhe një armë gjahu, të cilat i kishte në pronësi në mënyrë të ligjshme.
Sipas autoriteteve, ai qëlloi në drejtim të nxënësve dhe mësuesve në dy klasa, duke lënë të vdekur gjithsej dhjetë persona – nëntë prej tyre ishin nxënës të moshës 14 deri 17 vjeç, ndërsa viktima e dhjetë ishte një mësues 58-vjeçar.
Pas aktit makabër, Artur A. u gjet i pajetë në një nga tualetet e shkollës, ku dyshohet se kreu vetëvrasje duke u mbyllur brenda pas përfundimit të sulmit.
Mediat austriake kanë publikuar fotografinë e tij, por ende nuk është bërë zyrtare shpallja e mbiemrit. Sipas burimeve jozyrtare, bëhet fjalë për Artur Avetisyan.
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me prejardhjen e tij: i ati i Arturit ishte me origjinë armene, ndërsa ai jetonte me nënën e tij, shtetase austriake. Edhe vetë Artur ishte shtetas i Austrisë dhe banonte në Kalsdorf, në afërsi të Grazit.
Ai kishte ndjekur më parë mësimet në shkollën ku ndodhi ngjarja tragjike, por nuk e kishte përfunduar arsimin. Më pas ishte regjistruar si i papunë në zyrën e punësimit.
Policia dhe autoritetet arsimore po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet që çuan në këtë akt të tmerrshëm.