Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka konfirmuar punësimin e kunatës së tij dhe asaj të drejtorit të Arsimit, Shpend Nuhiu, në konkursin për mësimdhënës të mbajtur më 3 korrik 2024.
Në emisionin “Këndi i debatit” në Tëvë1, Hyseni tha se punësimet janë bërë në mënyrë të rregullt dhe përmes konkursit publik, dhe se të njëjtën rrugë e kanë ndjekur edhe familjarë të përfaqësuesve të partive opozitare.
“Në të njëjtin konkurs është punësuar edhe një asambleiste e LDK-së. Pra, jo vetëm kunata ime apo ajo e drejtorit”, u shpreh Hyseni.
Ai foli edhe për çështjen e nepotizmit dhe pretendimet për favorizime politike, duke akuzuar asambleistë të LDK-së për përfitime të mëdha nga tenderët komunalë.
“Shumicën e tenderëve në komunë i ka marrë një asambleiste e LDK-së. Një tjetër asambleist ka marrë mbi 3 milionë euro në tenderë me punë në Komunën e Gjilanit. Vajza e një tjetër asambleisteje të LDK-së është punësuar në të njëjtin konkurs për të cilin po flisni”, deklaroi Hyseni.
Ai shtoi se, sipas tij, nuk ka pasur asnjë diskriminim apo përzgjedhje të padrejtë në këtë proces, dhe se edhe familjarët e opozitës kanë përfituar në mënyrë të barabartë.